Fuqizimi i kapaciteteve institucionale për komunikimin mbi shëndetin publik
20 May 2026

Fuqizimi i kapaciteteve institucionale për komunikimin mbi shëndetin publik

Më 18–19 maj 2026, Laboratori për Komunikim Shëndetësor Institucional mblodhi profesionistë të komunikimit nga institucionet publike shëndetësore të Kosovës në një trajnim intensiv dyditor, i fokusuar në forcimin e komunikimit strategjik dhe të bazuar në dëshmi në sektorin e shëndetësisë. Trajnimi, i organizuar nga Projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (Projekti IHS), u udhëhoq nga Prof. Dr. L. Suzanne Suggs. 

I konceptuar si përgjigje ndaj nevojës në rritje për të ndërtuar besimin, për të angazhuar publikun në mënyrë efektive dhe për t’iu kundërvënë keqinformimit, trajnimi theksoi rolin e komunikimit jo vetëm si mjet për përcjelljen e informatave, por edhe si faktor kyç për nxitjen e ndryshimit të sjelljeve dhe forcimin e besueshmërisë institucionale.

Pjesëmarrësit u përfshinë në ushtrime praktike dhe diskutime mbi tema kyçe, si barrierat në komunikim, rezistenca e audiencës dhe strategjitë për rritjen e besimit të publikut. Gjatë sesioneve u trajtuan mesazhet e bazuara në dëshmi, njohuritë mbi sjelljen njerëzore dhe qasjet për adresimin e keqinformimit, të kombinuara me simulime praktike të sfidave reale në komunikim.

Programi u ofroi pjesëmarrësve mjete praktike për të komunikuar qartë, me përgjegjësi dhe në mënyrë efektive në mjedise komplekse të shëndetit publik. Përmes punëtorive dhe punës në grupe, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi për të hartuar mesazhe bindëse, me qasje njerëzore, si dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të publikut me profesionalizëm dhe besueshmëri.

Pjesëmarrësit e vlerësuan trajnimin si shumë praktik dhe të dobishëm për punën e tyre të përditshme, duke theksuar se ai u ka ndihmuar të përmirësojnë aftësitë për të hartuar mesazhe të qarta dhe motivuese, për të fuqizuar komunikimin institucional dhe për të zbatuar të menduarit kritik në adresimin e keqinformimit dhe angazhimin e publikut.

Ky trajnim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Projektit IHS për të mbështetur institucionet shëndetësore të Kosovës në ndërtimin e sistemeve moderne, transparente dhe të qëndrueshme të komunikimit, të cilat rrisin besimin e publikut dhe kontribuojnë në përmirësimin e rezultateve shëndetësore.